Hoti mbledh kryetarët të komunave: Rastet kanë rënë por s’e kemi mposhtur pandeminë

Hoti mbledh kryetarët të komunave: Rastet kanë rënë por s’e kemi mposhtur pandeminë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke zhvilluar takimin me kryetarët e komunave të Kosovës, ku do të diskutohet për tri çështje, njofton Insajderi.

Hoti bëri të ditur se në këtë takim do të diskutohet për menaxhimin  e situatës me pandeminë, vitin e ri shkollor dhe ndihmën financiare për komunat e Kosovës.

Derisa mori fjalën para se të niste ky takim, Hoti tha se numri i rasteve që kanë rezultuar pozitivë ditëve të fundit ka shkuar duke rënë, mirëpo kjo nuk është shenjë se Kosova e ka mposhtur pandeminë.

“Trendi i rasteve të reja ka filluar të bjerë, po kjo nuk është shenjë se e kemi futur në kontroll pandeminë, për shkak se numri i rasteve me fatalitet po mbetet mjaft i lartë”, ka thënë kryeministri, derisa ka folur edhe për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Jemi afër viti të ri shkollor, ministri ka bërë një punë të mirë sa i përket përvojave të shteteve tjera. Është bisedu për mbështetje financiare për komunat dhe më pastaj do të fillojmë me diskutimet e juaja duke filluar nga kryetarët e komunave”, tha kryeministri Hoti. /Insajderi.com