Maqedoni e Veriut: Nuk ka seancë për votimin e qeverisë

Maqedoni e Veriut: Nuk ka seancë për votimin e qeverisë

Afati i fundit për paraqitjen e propozimit për përbërjen e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut po mbaron, njofton Insajderi.

Në ueb faqen e Kuvendit për sot nuk është caktuar seancë. Afati përfundimtar është më 2 shtator.

Të shtunën, BDI-ja propozoi Jeton Shaqirin për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ndërsa më parë lideri i partisë Ali Ahmeti njoftoi emrat e ministrave të tjerë.

Sipas njoftimit, Artan Grubi do të jetë propozimi për zëvendëskryeministër dhe ministër i Sistemit Politik, Fatmir Besimi ministër i Financave, Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë dhe Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor.

Nga radhët e LSDM-së në qeverinë e re duhet të hyjnë Oliver Spasovski si ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska të vazhdojë të udhëheq ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa propozim i mandatarit është që në krye të Ministrisë së Drejtësisë të jetë Bojan Mariçiq.

Ministria e Transportit do të drejtohet nga kryetari aktual i Shtipit, Blagoj Boçvarski derisa ministria e Punës dhe Politikës Sociale nga Jagoda Shahpaska.

Ministria e Kulturës do të drejtohet në Irena Stefanova, ndërkaq ministri aktual i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov do të jetë zëvendëskryeministër përgjegjës për Çështje Evropiane, derisa zëvendëskryeministrja Milla Carovska do të kryesojë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Fatmir Bytyqi do të propozohet zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Ljupço Nikollovski zëvendëskryeministër për Luftë kundër korrupsionit. Qeveria e re duhet të jetë më e vogël, pra në vend të 26 deri tani, do të ketë 19 ministra ose shtatë më pak. /Insajderi.com