Zemaj para kryetarëve të komunave për gjendjen me COVID-19: Kishim vetëm 82 ventilatorë, tani i kemi 300

Zemaj para kryetarëve të komunave për gjendjen me COVID-19: Kishim vetëm 82 ventilatorë, tani i kemi 300

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar sot para kryetarëve të komunave të Kosovës lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë në Kosovë, njofton Insajderi.

Në takimin me kryetarë e komunave ku i pranishëm ishte Avdullah Hoti, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, është diskutuar peër menaxhimin e pandemisë, peërgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave ndaj COVID-19.

Në këtë takim, Zemaj ka thënë se është në rënie trendi i pacientëve që kërkojnë mjekim dhe të rasteve pozitive, ndërsa ka shtuar se përmes kontakteve me institucionet ndërkombëtare po përpiqet të sigurojë vaksinat kundër COVID-19, kurdo që ato zhvillohen dhe aprovohen.

“Unë, KM dhe Departamentet tona në MSh përmes kontakteve me institucionet ndërkombëtare po përpiqemi teë sigurojmë vaksinat kundër Covid-19, kurdo që ato zhvillohen dhe aprovohen. Sipas IKSHPK-së, 65% teë infektuarve e kanë kaluar këtë sëmundje, derisa rreth 30 % të rasteve janë ende aktive, shkalla e vdekshmërisë në mesin e të infektuarve është 3.7%”.

“Kemi rritur kapacitetet spitalore si në Prishtinë ashtu edhe në komunat e tjera. Kemi porositur 120 000 vaksina kundër gripit sezonal përmes UNICEF-it dhe po zhvillojmë procedura edhe për 380 000 të tjera”, ka thënë Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë, ka thënë gjithashtu se ka rritur kapacitet në sektorin publik të shëndetësisë, duke përmendur numrin e ventilatorëve dhe licensimin e laboratorëve privat për testim.

”Kapacitetet në sektorin publik kemi rritur me rreth 300 ventilatorë, derisa sa kishim vetëm 82 sosh. Në sektorin privat janë licencuar 86 Institucione Shëndetësore Private për kryerje të testeve serologjike dhe PCR”.

“Po kryejmë procedurat e blerjes së shtatë aparateve të tjera për PCR në IKSHPK ku do të vihen në funksion në gjashtë qendrat rajonale të Shëndetësisë Publike (Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj e Gjilan). Së shpejti do teë kemi edhe: shtatë aparate për RT-PCR, 100 000 teste PCR, 30 000 teste rapide dhe 100 000 teste serologjike”, ka thënë ministri.

Zemaj tutje ka njoftuar se sot Kosova pranon një donacion të radhës nga UNICEF-i me 7.4 tonelata furnizime mjekësore dhe nga USAID 50 ventilatorë/aspiratorë. /Insajderi.com