Hyseni pret në takim ambasadorin Abbott – flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Hyseni pret në takim ambasadorin Abbott – flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, e ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar hapur për rrjedhën e deritashme të dialogut, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Hyseni me anë të një postimi në Facebook, ku thotë se gjatë këtij takimi ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka përkrahja e mëtejme britanike për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

“Duke çmuar lartë kontributin e madh të Britanisë së Madhe në të gjitha fazat e historisë më të re dhe shtetndërtimit në Kosovë, theksova rëndësinë e veçantë që ka përkrahja e mëtejme britanike për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë”, ka shkruar ai.

“Ambasadori Abbott, nga ana e tij tha se përkushtimi dhe angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar, për një marrëveshje të drejt dhe të qëndrueshme që duhet të sjell normalizim të plotë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, është i palëkundshëm”, ka përfunduar Hyseni. /Insajderi.com