Zyrtari i NISMA-s: Fatmir Limaj kandidat ideal për president

Zyrtari i NISMA-s: Fatmir Limaj kandidat ideal për president

Leotrim Berisha, zyrtar për Informim dhe anëtar i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kandidati ideal për president të Kosovës do të ishte Fatmir Limaj, njofton Insajderi.

“Me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, vendit i duhet një president unifikues, dikush që nuk nxitë përçarje në shoqëri dhe i cili mund t’i bëjë bashkë pozitë e opozitë sa herë që ka nevojë vendi. Por, kush do të ishte ideal për president?”, ka pyetur Berisha, duke u vetëpërgjigjur, “Fatmir Limaj”.

Ky status i Berishës vjen pak para se të fillojë takimi në mes të liderëve të koalicionit qeverisës, ku bën pjesë edhe Nisma.

Në këtë takim pritet që partnerët e koalicionit të flasin, përveç temave të tjera, edhe për presidentin e Kosovës.

Ky takim ishte caktuar të mbahej javën e kaluar, por u zhvendos për sot, e hënë.

Insajderi.com, pati njoftuar se arsyeja e shtyrjes së takimit për të hënën ishte mosprezanca e Limajt, pasi po qëndronte jashtë vendit./Insajderi.com