Organizimi i Testit të Maturës: Nga 12 nxënës në klasë

Organizimi i Testit të Maturës: Nga 12 nxënës në klasë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës më datë 29 gusht dhe se në çdo klasë nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës dhe se të gjithë duhet të jenë të pajisur me maska, njofton Insajderi.

Derisa vitet e kaluara testi i maturës është mbajtur në dy pjesë, këtë vit si pasojë e pandemisë maturantët do të mbajnë testin vetëm në një ditë.

Mbi 26 mijë maturantë do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë, ku kalueshmëria e këtij testi do të jetë 40 pikë nga 100 pyetjet.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në MASh, Fatmir Elezi, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testimi.

“Për shkak të COVID-19 këtë vit testi mbahet vetëm një ditë, do të thotë edhe pjesa e parë edhe pjesa e dytë e Testit janë reduktuar nga 50 pyetje, çdo lëndë në 25 pyetje, janë tri lëndët e përgjithshme me nga 25 pyetje, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, si dhe lënda e katërt e zgjedh vet nxënësi nga 12 lëndët e mundshme. Në total testi i ka 100 pyetje, testi fillon në orën 10:00 për nxënësit dhe nga momenti kur fillon të plotësojë testin, ai zgjat 150 minuta…Kriteri i kalueshmërisë është 40 përqind ose 40 pikë nga 100 pikët e mundshme”, thotë ai për KP.

Elezi potencon se si ministri i kanë marrë të gjitha masat për mbrojtje të nxënësve nga COVID-19 gjatë ditës së testimit. Testi do të mbahet në 184 qendra testuese, ku si masë mbrojtëse nga virusi ai thotë se kanë paraparë që në një klasë të mos jenë më shumë se 12 nxënës.

“Jemi munduar që çdo nxënës të pajiset me maska, do të thotë asnjë akter që është nuk do të lejohet të hyjë në test pa maskë. Përpos kësaj kemi vendosur që në klasa të mos jenë më shumë se 12 nxënës dhe përpos akterëve tjerë që i kemi pasur në qendrat e testimit me propozim të drejtorive komunale jemi dakorduar që tre persona të jenë të angazhuar në oborr të shkollës në mënyrë që t’i udhëzojë nxënësit se si të sillen, mos të lejojnë grumbullimin e nxënësve në oborr”, thotë ai.

Testit të Maturës do t’i nënshtrohen 26 mijë e 817 maturantë në nivel vendi. Ky testim ishte paraparë të mbahet me katër korrik, por që është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuar me COVID-19. /Insajderi.com