Mustafa: Për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia

Isa Mustafa: “LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”.

Mustafa: Për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se nuk bën në asnjë mënyrë që Serbia ta marrë vesh se çfarë strategjie ka Kosova prandaj duhet të kihet kujdes në këtë drejtim, njofton Insajderi.

Mustafa përveç diskrecionit për strategjinë ka propozuar që ajo gjithashtu të përpilohet në bashkëpunim me opozitën.

“Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Uashington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtjesor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës. Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”, shkruan Mustafa.

Mustafa ka shtuar gjithashtu se politikat qeverisës duhet të jenë të bashkërenduara me kryeministrin, ndryshe LDK-ja mund të kërkojë ripozicionime brenda koalicionit qeverisës.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”.

“Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”./Insajderi.com