Nagavci: Shkurtimi i buxhetit për arsim – pasojë e vendimeve kontradiktore të Qeverisë Hoti

Nagavci: Shkurtimi i buxhetit për arsim – pasojë e vendimeve kontradiktore të Qeverisë Hoti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është shprehur e shqetësuar në lidhje me shkurtimin e buxhetit për arsimin, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Nagavci thotë se një gjë të tillë e sheh si pasojë e vendimeve kontradiktore të Qeverisë Hoti, e cila sipas saj, nuk ka plane dhe strategji të mirëfilltë për zhvillimin e vendit.

“Buxhetin e Ministrisë së Arsimit që do të duhej ta shtonin, e shkurtuan për 12.5 milionë euro më pak se sa që kishte planifikuar Qeveria Kurti. Investimeve kapitale në arsimin para universitar që prekin direkt procesin mësimor nëpër komuna, u shkurtuan në shumën prej 5.7 milionë euro. Ndërsa zvogëlimit nuk i ka shpëtuar as arsimi për fëmijët me nevoja të veçanta që me rishikim ka 173 mijë euro më pak”, shkruan Nagavci në Facebook.

Ajo përmend se buxheti për arsim 2020 në Qeverinë Kurti ishte 76,540,015 euro, ndërsa në Qeverinë Hoti, pas rishikimit të buxhetit, kjo shifër është më e ulët – 63,016,678 euro. /Insajderi.com