Që nga 21 korriku, Komuna e Prishtinës është duke bërë teste serologjike për banorët e saj.
Në fillim testime të tilla realizoheshin vetëm te Qendra e Studentëve, por tashmë janë duke u kryer edhe në qendra të mjekësisë familjare.
Laboranti Bujar Selami tregon për punën që po bëhet në Qendrën e Studentëve, aty ku edhe punon. Sipas tij, edhe pse teste të tilla tashmë kanë filluar të bëhen edhe në laboratorë privatë, fluksi i njerëzve është ende i madh.
Teste të tilla po kryhen edhe në Qendrën e mjekësisë familjare në “Dardani”, por që gjatë kohës sa qëndroi ekipi i KOHËS, aty nuk pati qytetarë për t’u testuar.
Derisa qytetarë të tjerë thonë se testin serologjik do ta bënin vetëm nëse do të kishin simptoma.
Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, testimet kanë shkuar mirë dhe deri tani kanë arritur t’i testojnë rreth 3 mijë banorë, e testimet do të vazhdojnë edhe më tej, deri në përfundim të hulumtimit të planifikuar nga Komuna.
Komuna e Prishtinës është e para në Kosovë që ka filluar me testimet serologjike që janë pa pagesë, por që bëhen vetëm me rekomandim të mjekut.
Javë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka licencuar mbi 100 laboratorë privatë, prej të cilëve vetëm dy mund të bëjnë testime PCR për COVID-19, e të tjerat mund të bëjnë vetëm teste serologjike.
Testimi serologjik mund t’i identifikojë personat që janë në javën e parë të infektimit, ata që janë në fazën e avancuar apo ata që janë afër shërimit nga virusi. /Insajderi.com