Pacolli kritikon opozitën që “s’është e gatshme të punojë së bashku për interesat kryesore kombëtare”

“Duhet të ndërtojmë një kulturë konsensusi dhe uniteti dhe ta ndajmë luftën për pushtet nga lufta për interesat e shtetit".

Pacolli kritikon opozitën që “s’është e gatshme të punojë së bashku për interesat kryesore kombëtare”

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kritikuar partitë opozitare, të cilat sipas tij nuk po tregohen sa duhet konstruktive dhe nuk po bashkohen me qeverinë kur është nevoja dhe interesi kombëtar, njofton Insajderi.

“Unë jam kritik ndaj opozitës që nuk është e gatshme të punojë së bashku për interesat kryesore kombëtare”, ka pohuar Pacolli në një intervistë të tij në Kosova Press.

Ish-president i Kosovës dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Pacolli ka kritikuar edhe Qeverinë e Avdullah Hotit, pjesë e të cilës është.

“Duhet të ndërtojmë një kulturë konsensusi dhe uniteti dhe ta ndajmë luftën për pushtet nga lufta për interesat e shtetit. Ne të gjithë në qeveri dhe opozitë jemi përgjegjës”, pohon Pacolli.

Ai këto komente i ka bërë derisa ka folur rreth zhvillimeve në raport me dialogun me Serbinë dhe pozicionin që duhet ta mbajë vendi.

“Kosova duhet të punojë me aleatët e saj në procesin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”.

“Qeveria dhe të gjithë palët e përfaqësuara në Kuvend duhet të angazhohen të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu Bashkimin Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

“Kosova duhet të ketë dy synime të qarta, dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane që njohin njëra-tjetrën dhe që dialogu duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura që janë pengesë për bashkëpunimin normal në ekonomi, tregti, dhe fusha të tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi, pos tjerash, Pacolli./Insajderi.com