Komuna e Gjakovës ndan 100 mijë euro për teste serologjike, testimi synohet të nisë javën e ardhshme

Komuna e Gjakovës ndan 100 mijë euro për teste serologjike, testimi synohet të nisë javën e ardhshme

Komuna e Gjakovës ka ndarë rreth 100 mijë euro për të blerë 10 mijë teste serologjike përmes së cilave synon të testojë qytetarët e saj, njofton Insajderi.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës, Ferdinand Kolaj, ka njoftuar se pritet që javën e ardhshme të mbërrijnë këto teste.

Momentalisht, vetëm Komuna e Prishtinës realizon teste serologjike. Saktësisht, Komuna e Gjakovës thotë se do të ketë në dispozicion pesë mijë teste IGG dhe pesë mijë të tjera IGM të cilat ndër të tjera do të tregojnë nëse një person ka krijuar antitrupat ndaj COVID-19.

E këto testime, Kolaj thotë për KosovaPress se do të realizohen menjëherë sapo të mbërrijnë të njëjtat dhe që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Komuna e Gjakovës ka marrë vendim që të kemi teste serologjike që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Jemi në procedurë, janë ndarë 100 mijë euro për këtë punë. Jemi në pritje, do të thotë është çështje ditësh kur do të fillohet edhe me implementimin e këtij projekti, domethënë në luftën ndaj COVID-it është edhe pjesa e testeve serologjike e cila do të na ndihmojë të shohim sa kemi infektimin e popullatës dhe do të kemi testet IGG dhe IGM që do të tregojnë nëse pacienti e ka, ose e ka kaluar virusin, dhe nëse është brenda, a ka krijuar antitrupa”, deklaroi Kolaj.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës thotë se përpos shërbimeve në spital dhe QMK, personat e infektuar do të kontaktohen vazhdimisht edhe nga një ekip mobil që është ngritur posaçërisht për këtë gjë.

“Ne kemi vendosur që të shkojmë edhe një hap më larg, duke pasur parasysh që do të ketë pacientë të cilët do të dalin pozitivë, nuk ka kushte, apo një mënyrë tjetër, kemi vendosur që të kemi një ekip mobil të cilët do të shkojnë në shtëpi dhe do t’i japin terapinë që kanë të nevojshme, dhe kohë pas kohë qendra e mjekësisë familjare i kontakton të gjithë personat që janë pozitivë, po që nuk janë në spital dhe i pyet për gjendjen e tyre dhe a kanë nevojë për diçka”, ka thënë Kolaj. /Insajderi.com