Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, ka thënë se në përgjithësi mbajtja e provimit të maturës ka përfunduar me sukses, mirëpo ka pasur edhe nxënës të cilët kanë tentuar të manipulojnë me telefon gjatë procesit të testimit, e që për ta Elezi thotë se janë përjashtuar, njofton Insajderi.
Pas tri orë testim, rreth 26 mijë 669 maturantë në vend kanë përfunduar testin e maturës. Derisa mbarëvajtja e procesit thuhet se ka qenë e menaxhuar mirë dhe se janë evidentuar vetëm disa parregullsi të vogla.
“Ka pasur disa nxënës që kanë përdorur telefona, janë përjashtuar prej testit…Edhe këtë vit e kemi parë që ka pasur disa postime në rrjetet sociale, mirëpo shumë më pak se sa herëve të kaluara, por ka individ që janë future në këto rrjete edhe jashtë qendrave të testimit, nuk kanë qenë nxënës, mirëpo vetë është rritur numri. Nxënësi që është nxën me telefon në qendrat e testimi është përjashtuar nga testi”, thotë ai.
Se procesi i testimit nuk ka pasur ndonjë parregullsi të madhe, e thonë edhe maturantët e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, sipas tyre testi dhe e tërë procedura ka qenë korrekte.
Maturantja Jona Saliuka, thotë për KosovaPress se nuk ka hasur në asnjë pyetje të formuluar gabim dhe se gjithçka ka qenë në rregull.
“Mendoj që testi ka qenë shumë korrektë, qysh duhet me qen…Nuk ka pasur asnjë pyetje që është formuluar gabim dhe gjithçka ka qenë në rregull…Më shumë ka pas pyetje që i kemi mësuar gjatë tri viteve pra gjeneralizim i tyre ka qenë se sa ato që i kemi mësuar “online” në këtë periudhën e fundit”, thotë Saliuka.
Se procedura e testimit nuk ka pasur parregullsi, e thotë edhe Enik Limani, sipas të cilit mundësia e manipulimeve ka qenë e vogël.
“Në test mirë kemi kaluar, nuk kom pas as stres, nuk kom vërejt parregullsi, nuk na kanë lënë me kopju…Nuk ka pasur pyetje prej atyre “online”, veç çka kemi mësuar në shkollë”, thotë Limani.
Kurse maturanti, Ledion Latifi, vlerëson se testi në përgjithësi ka qenë i formuluar mirë, vetëm se sipas tij organizimi nuk ka qenë në nivel të duhur.
“Testi në përgjithësi ka qen i formuluar mirë ka pas një gabim ose dy. Problemi kryesorë që është paraqit gjatë testit është veç fakti që është organizuar keq…Një pjesë e madhe e pyetjeve janë jashtë asaj normës që i kemi mësuar ne”, thotë Latifi.
Ndërsa, rezultatet e testit të maturës, do të publikohen me 7 shtator në të gjitha shkollat. /Insajderi.com