Mali i Zi sot po zhvillon zgjedhjet parlamentare për 91 ulëse në Parlamentin e këtij shteti, njofton Insajderi.
Ashtu siç bëhet e ditur nga Qendra e Monitorimit (CEMI), gjithsej 35.4% e votuesve votuan deri në orën 11:00. Në rajonin e Podgoricës kanë votuar 35.8%, në rajonin verior të Malit të Zi 31.7%, dhe në jug 37.1%.
Sipas tyre, pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet parlamentare më 2016, kur, siç thanë ata, deri në orën 11, dalja ishte 20.7 % dhe në zgjedhjet e vitit 2012 pjesëmarrja ishte 18.2%.
Qendra për Monitorim u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë distancën e caktuar ndërsa presin në radhë për votim.
CEMI gjithashtu deklaroi se regjistroi një numër të madh të shkeljeve që kanë të bëjnë me fshehtësi të fletëve të votimit.
“Votuesit e thanë listën që ata votuan me zë të lartë, fletët e votimit u fotografuan, fletët e votimit nuk u palosën në kabinën e votimit, por përpara bordit të votimit,” tha koordinatorja Maja Bjeliq, raporton REL.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.
Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Të drejtë vote kanë 540,026 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 1,217 vendvotime. /Insajderi.com