Aprovohet kërkesa për importim e barnave kundër COVID-19 pa autorizim të marketingut

Aprovohet kërkesa për importim e barnave kundër COVID-19 pa autorizim të marketingut

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka aprovuar sot propozimin e grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, kjo agjenci të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet që përdoren kundër pandemisë COVID-19, si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroëuine, njofton Insajderi.

Ashtu siç bëhet e ditur në kumtesën e Minsitrisë së Shëndetësisë, ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë COVID-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

“Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid-19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se Zemaj do të autorizojë përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj. /Insajderi.com