Shpallen heronjë të Kosovës 19 policët e rënë në detyrë

Shpallen heronjë të Kosovës 19 policët e rënë në detyrë

19 policë të rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës para 21 vjetve, janë shpallur heronj të Kosovës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur Bashkim Smakaj, nga zyra e Presidentit, në ceremoninë e organizuar për shënimin e 21 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, duke thënë se rreziqet me të cilat ballafaqohen policët tashmë janë të njohura për të gjithë, madje ata punojnë edhe pa sigurime shëndetësore.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu derisa e ka vlerësuar lartë kontributin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovë që ranë në detyrë, tha se Policia e Kosovës është ngritur në një institucion modern qe është shembull jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Veliu theksoi nevojën për tu bashkuar dhe për të shërbyer në mënyrë që të bëhet vendi më i ndritshëm dhe më i sigurt.

Kurse, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj derisa e ka përshëndetur vendimin e presidentit theksoi se Policia e Kosovës do jetë në shërbim të çdo qytetari dhe kriminelet do t’i sjell para drejtësisë.

Qalaj tha se në këtë kohë pandemie pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë në vijë të parë të frontit duke punuar nga 12 orë shtatë ditë në javë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe familjarët e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në detyrë e të cilët i morën edhe medaljet me titujt heronj të policëve të vrarë. /Insajderi.com