Thaçi takohet me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog

Thaçi takohet me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim njoftues shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog, të cilit i ka uruar mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në punën e re, njofton Insajderi.

Siç njoftohet nga Zyra e Presidentit, Thaçi në këtë takim është shprehur se Kosova ka vetëm një drejtim, anëtarësimin në BE, duke theksuar vullnetin e institucioneve që të punojnë pa ndalur në këtë drejtim.

“Është arritur shumë, por edhe shumë mbetet për t’u bërë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ambasadori Szunyog u shpreh i lumtur me detyrën e re dhe njoftoi për projektet e reja të BE-së, veçanërisht ato me theks në tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19.

Presidenti Thaçi e siguroi ambasadorin Szunyog se do ta ketë përkrahjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të shtetit të Kosovës në realizimin e projekteve që afrojnë Kosovën drejt BE-së. /Insajderi.com