Haradinaj kundër marrëveshjes në Uashington, paralajmëron largim nga qeveria

“AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”

Haradinaj kundër marrëveshjes në Uashington, paralajmëron largim nga qeveria

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partner i koalicioni qeverisës, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Facebook se partia e tij nuk do ta përkrah marrëveshjen që pritet të nënshkruhet në Uashington në mes të Kosovës e Serbisë.

Kjo për arsye se në një pikë të kësaj marrëveshje është edhe një për Ujmanin dhe AAK-ja refuzon që Serbia të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit.

“Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën”, thuhet në statusin e Haradinajt.

“Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje”.

“AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”./Insajderi.com