Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se gjatë muajit shkurt e mars të vitit të ardhshëm do të diskutohet për pozitën e presidentit, duke shtuar se PDK-ja gjithsesi do ta ketë kandidatin e saj, njofton Insajderi.
“Kur të vijë muaji shkurt dhe mars do të diskutohet për pozitën e presidentit. Ne gjithsesi se do ta kemi kandidatin tonë. Po të mos ishte pandemia besoj që ne si Parti Demokratike do të kishim marrë hapin që të kemi zgjedhje. Mirëpo duke marrë parasysh që ne jemi në pandemi dhe ende është numri shumë i lartë i vdekjeve ne nuk i shohim si opsion zgjedhjet tani”.
Deputetja Musliu-Shoshi komentoi koalicionin qeverisës, ku për tu bërë pjesë e tij ajo tha se duhet të vendosin instancat më të larta të partisë.
Sipas saj, zgjedhjet janë opsioni më i mirë gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit publik.
“Për koalicion apo për të qenë pjesë e qeverisë do të vendoset në organet e partisë. Deri më tani ne nuk kemi diskutuar në asnjë mbledhje që kemi pasur as Kryesia dhe as Këshilli i Përgjithshëm dhe as grupi parlamentar”.
“Mendoj që duhet të vlerësohet situata momentale në të cilën jemi para interesit personal të atij partiak dhe si rrjedhim do ta marrim vendimin si parti. Personalisht mendoj që zgjedhjet janë opsioni më i mirë gjithmonë duke pasur mundësinë që të ruhet shëndeti publik”./Insajderi.com