Hoti pritet nga Pompeo: SHBA e gatshme ta mbështesë Kosovën në procesin e dialogut

Hoti pritet nga Pompeo: SHBA e gatshme ta mbështesë Kosovën në procesin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth takimit të tij me Sekretarin e Shtetit, Michael Pompeo, njofton Insajderi.

Hoti thotë se Pompeo e ka uruar për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti tha se ka marrë mbështetjen nga sekretari Pompeo dhe se ky i fundit ka theksuar gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

“Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, i cili më uroi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderova SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, theksova gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve. Po ashtu, mora mbështetje sekretari Pompeo, i cili theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoti. /Insajderi.com