Grenell i reagon kritikave të Osmanit: Nevojiten politikanë që bëjnë më shumë sesa thjesht ankohen

Grenell i reagon kritikave të Osmanit: Nevojiten politikanë që bëjnë më shumë sesa thjesht ankohen

I Dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj kryekuvendares Vjosa Osmani, e cila tha se delegacioni i Kosovës nuk e realizoi njohjen reciproke ashtu siç ishte premtuar, gjë që sipas saj ishte një ndër pikat ku dështoi ky delegacion, njofton Insajderi.

Grenell me anë të një replike në Twitter, i tha Osmanit se ka nevojë për politikanë të cilët bëjnë më shumë sesa ankohen.

Ai tutje i bëri të ditur Osmanit se marrëveshja e nënshkruar dje nga të dyja palët ishte për njohjen ekonomike dhe ishte një hap shumë i madh.

“Marrëveshja ishte për njohjen ekonomike. Është një hap shumë i madh. Për ju që ankoheni tani që nuk keni marrë më shumë, është e çuditshme pasi nuk ngritët një shqetësim të vetëm ose nuk më dhatë një ide të vetme. Kemi nevojë për politikanë që bëjnë më shumë sesa thjesht ankohen. Kjo ka të bëjë me punët, jo me simbolikën”, shkroi Grenell.

Osmani dje me një postim në Facebook tha se njohja nga Izraeli është pozitive sikurse përkrahja e SHBA-së për Kosovës, megjithatë listoi disa pika ku sipas saj delegacioni kosovar dështoi.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës. Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë:

– Njohjen e ndërsjellë me Serbinë

– Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani)

– Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi)

– Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)

– Rezultate konkrete për të pagjeturit

– Dëmshpërblim për reparacionet e luftës

– Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë

– Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës. /Insajderi.com