Pandemia rrit kërkesat e fëmijëve për seanca psikologjike

Pandemia rrit kërkesat e fëmijëve për seanca psikologjike

Situata e krijuar nga pandemia ka bërë që shumë qytetarë të kenë nevojë për këshilla, nga psikologët.Por, kjo situatë ka prekur edhe fëmijët dhe adoleshentët nga gjendja emocionale, ka thënë psikologu Visar Sadiku, njofton Insajderi.

Ai është shprehur se në kohët e fundit ka rritje të numrit të personave që kërkojnë seanca psikologjike e veçanërisht nga fëmijët edhe adoleshentet.

Sipas, tij, fëmijët dhe adoleshentët kanë filluar të shfaqin elemente të ankthit.

“Adoleshentët kanë elemente të ankthit të gjeneralizuar apo të përgjithshëm ndërsa, fëmijët kanë filluar të shfaqin ankthin e  seperacionit ose i ndarjes, dhe ne shohim se ata refuzojnë ndarjen nga prindërit, duke pasur parasysh se janë të informuar me situatën që gjendemi”.

“Kohëve të fundit ka një ngritje të numrit edhe nga të rriturit por, sidomos të fëmijëve të cilët adresohen për të pranuar shërbime psikologjike”, ka thënë Sadiku.Situata e krijuar nga pandemia ka bërë që fëmijët në Kosovë të qëndrojnë më shumë në shtëpitë e tyre dhe afër prindërve, pasi kopshtet e shkollat u mbyllën për disa muaj.

E kjo sipas Sadikut, do të reflektojë me refuzim të disa fëmijëve që të ndahen nga prindërit dhe të refuzojnë të qëndrojnë në shkolla.

“Me rastin e fillimit të shkollës është e mundshme që fëmijët të refuzojnë të ndahen nga prindi, apo të qëndrojnë në shkollë, e që mund të shfaqin sjellje jo adekuate”.

Sdiku ka thënë se sfidë tjetër me fillimin e vitit të ri shkollor do të jetë akti i stigmës në kuptimin e paragjykimit, në raste se ndonjë nxënës më i rritur apo familjarë të tij kanë qenë të infektuar me Covid-19.Ai shprehet se rritja e numrit të psikologëve në sistemin arsimor do të ndihmonte në menaxhimin e situatës së krijuar tek fëmijët nga pandemia.

“Rritja e numrit të kapaciteteve me psikologë do të ndihmonte në menaxhimin e situatës jo të duhur nga fëmijët”, ka thënë psikologu Sdiku, për Ekonomia Online.

Sadiku e ka vlerësuar shqetësuese qasjen e madhe që fëmijët kanë në rrejte sociale duke ju ekspozuar informacioneve të shumta për pandeminë. Ai ka këshilluar prindërit që të bisedojnë më fëmijët e tyre për pandeminë, por gjithmonë duke pasur parasysh informacionet që ata kanë për situatën dhe korrigjimin e atyre informacioneve./Insajderi.com