​Nagavci kërkon thirrjen në raportim të Hotit për koncesione ndaj Serbisë

​Nagavci kërkon thirrjen në raportim të Hotit për koncesione ndaj Serbisë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, ka kërkuar sot thirrjen në raportim të kryeministrit, Avdullah Hoti, lidhur me zotimet e bëra si koncesione ndaj Serbisë në marrëveshjen e nënshkruar me palën serbe, në Uashington.

Në një komunikatë për media thuhet se kryeministri i Kosovës dhe delegacioni që shoqëronte atë, më 4 shtator bëri zotime për koncesione ndaj Serbisë për çështje dhe tema që prekin direkt sovranitetin shtetëror dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto zotime i konfirmoi me nënshkrimin e tij në fund.

“Përkundër deklarimeve të vazhdueshme në Kuvend e jashtë tij të vetë Hoti, se platformë e dialogut me Serbinë është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk kemi nevojë për platformë tjetër, kurse mini-Shengenin e konsideronte të dëmshëm për Kosovën dhe që i shërben vetëm Serbisë, ajo çfarë pamë më 4 shtator, ishin zotime e koncesione krejtësisht të kundërta me deklarimet e mëparshme e në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e dëm të interesave të Kosovës”, thekson Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo parti normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi, e sheh më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës.

“Nga përfshirja e Serbisë në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Ndërsa, mini-Shengeni mundëson hegjemonin ekonomike e tregtare të Serbisë si një ide dhe synim i saj, në një kohë që as nuk e njeh shtetin e Kosovës, e deri tek zotimi antikushtetues për heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që në fakt është heqje dorë nga shtetësia dhe nga kërkesa për njohje kolektive të shtetit të Kosovës. Për më tepër mundësimi i daljes në detin Adriatik, duke i vënë infrastrukturën shtetërore të Kosovës në dispozicion të Serbisë dhe kushtëzimi i turpshëm i çështjes së personave të zhdukur e bëjnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj si dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, thekson më tej Lëvizja Vetëvendosje.

Partia e Albin Kurtit gjithashtu vazhdimin e dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, si asociacioni i komunave me shumicë serbe, e quan një goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror në takime, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë. /Insajderi.com