Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zhurku dhe anëtaret e ri të Këshillit Drejtues të kësaj qendre, njofton Insajderi.
Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka këtë përbërje: Arbnesha Grabovci, Jeton Zogjani, Luan Daka, Linda Shala dhe Burim Reçica, përfaqësues i MKRS-së.
Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi foli për gjendjen aktuale të kinematografisë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht QKK.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të përkrahë në vazhdimësi QKK-në si nga ana profesionale dhe nga ajo financiare. MKRS do të jetë çdo herë mbështetja më e madhe e industrisë së filmit pasi që filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”, tha Dumoshi.
Në takim u diskutua edhe për ligjin e ri të QKK-së, i cili së shpejti do të kalojë në Qeveri për aprovim. /Insajderi.com