Hetohet nga EULEX-i personi i maskuar që dorëzoi dosjen tek OVL e UÇK-së

Hetohet nga EULEX-i personi i maskuar që dorëzoi dosjen tek OVL e UÇK-së

Hetuesit e EULEX-it kanë kërkuar kopje të të gjitha dosjeve të Gjykatës Speciale që i janë dorëzuar dje zyrës së Organzatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga një person i maskuar, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur edhe sekretari i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, i cili tha se një kopje të cilën kanë pasur t’ua japin Prokurorisë tonë, ua kanë dhënë atyre.

“Po, kanë ardhur hetues të Gjykatës Speciale. E kanë kërkuar një kopje të atyre dosjeve që na e kanë dorëzuar dje. Një kopje që kemi pasur t’ia japim Prokurorisë tonë ua dhamë atyre”, ka thënë Klinaku për Zërin.

Po ashtu Klinaku ka thënë se hetuesit e EULEX-it kanë parë edhe xhirimet e kamerave ku shihet një person i maskuar teksa dorëzon pakon me dosje në zyrat e OVL-së së UÇK-së.

“Ua kemi treguar xhirimet e kamerave, të cilat i kanë marrë, ku shihet personi i maskuar që na ka sjellë pakon dje”, ka shtuar Klinaku.

Hetuesit e EULEX-it sot kanë vizituar zyrat e OVL-së së UÇK-së. Një ditë më parë në këto zyra është dorëzuar një dosje e Gjykatës Speciale nga një personi i maskuar.

Në një konferencë për media dje drejtuesit e OVL-së së UÇK-së kanë deklaruar se në dosjen me rreth 4000 faqe mes të tjerash janë edhe emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të Speciales. /Insajderi.com