VV: Marrëveshja ekonomike e Uashingtonit ka shumë pak aspekte me ekonominë

VV: Marrëveshja ekonomike e Uashingtonit ka shumë pak aspekte me ekonominë

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media, ka vazhduar me Kritika ndaj Qeverisë Hoti rreth marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Uashington me Serbinë.

Nënkryetari i LVV-së, Besnik Bislimi tha për media se kjo marrëveshje ndonëse quhet ekonomike, ka shumë pak aspekte që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Problemi Kosovë-Serbi në asnjë rrethanë nuk ka qenë i ndikuar nga mungesa e bashkëpunimit ekonomik dy palëve. Rrjedhimisht opsionet e zgjidhjes së këtij konflikti nuk kanë si të orientohen sipas kësaj recete. Megjithatë zotimet që kryeministri ilegjitim Hoti i nënshkroi me vetveten në Uashington vetëm në margjinë e prekin fushën ekonomike”.

“Konkretisht pjesa me efekt ekonomik mund të përfshinte premtimet për kredi miliardësh për ndërtim të autostradës dhe hekurudhës me Serbinë. Kjo autostradë dhe hekurudha përfshirë edhe linjën ajrore të dakorduar më herët, Prishtinë-Beograd gëzojnë zero avantazh ekonomik në termat e analizës së kastës dhe përfitimit. Në fakt me kredi që do të paguante Kosova, pala Kosovare do të arrinte tri gjëra. Do të rriste barrën e borxhit publik për gjeneratën e ardhshme pa ndonjë kundërvlerë në peshë, do ulte koston e bizneseve serbe për qasje në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë dhe përmes saj do ulte fuqishëm konkurshmërinë e bizneseve vendore duke i dhënë atyre goditjen përfundimtare”, tha ai gjatë konferencës për media.

Ish ministri i Financave tha se Kosova gaboi kur i dha të drejtë Serbisë për shfrytëzim të resurseve të Ujmanit, siç vlerëson duke hapur precedent që resurset natyrore të Kosovës të bëhet objekt negocimi në të ardhmen.

“Për palën serbe është evidente se është i rëndësishëm se e drejta e shfrytëzimit të resurseve ujore të Ujmanit mbetet precedenti hapjes së temës për resurse natyrore për vendin si objekt i negocimit me Serbinë”, deklaroi ai. /Insajderi.com