Kosnett: ShBA dhe Kosova do të forcojnë partneritetin për të luftuar terrorizmin

Kosnett: ShBA dhe Kosova do të forcojnë partneritetin për të luftuar terrorizmin

Në kujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett kanë vendosur kurora me lule te pllaka përkujtimore e 11 Shtatorit, njofton Insajderi.

Ambasadori Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova do të forcojnë partneritetin për të luftuar terrorizmin dhe fenomenet e këqija, si dhe në përpjekje për të zbardhur një të ardhme të paqes dhe drejtësisë në prosperitet për njerëzit e të dyja vendeve.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Osmani tha se kjo ngjarje zgjoi ndërgjegjen e botës në luftimin e terrorizmit dhe se Kosova do të qëndrojë afër ShBA-së për të luftuar këto dukuri.

“Kosova dhe populli i Kosovës si populli më proamerikan në botë dhe Republika jonë si aleati kryesor si SHBA-së kanë qëndruar me popullin amerikan edhe atëherë dhe qëndrojnë edhe sot në nderimin e viktimave të këtij akti të shëmtuar terrorist dhe do të qëndrojnë përgjithmonë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë për ato mijëra viktima. Republika jonë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit dhe luftimin e të gjitha fenomeneve negative në raport me shoqëritë demokratike”, tha Osmani. /Insajderi.com