Miliona euro dëme po shkaktohen për Kosovën si pasojë e përdorimit të dinarit serb në Veri, por edhe nëpër zona të tjera të vendit, njofton Insajderi.
Kjo për arsye se shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Nysret Maxhera, ka bërë të ditur se përdorimi i dy valutave brenda një shteti, rrënon sistemin financiar dhe ekzistues të atij vendi, duke e pranuar se Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit.
“Në një shtet nuk mund të ketë dy valuta sepse nëse funksionon edhe një valutë tjetër, kjo ka ndikim jashtëzakonisht të madh në rrënimin e sistemit financiar dhe direkt apo indirekt në rrënimin e sistemit ekonomik ekzistues të një vendi…Dinari hyn në mënyrë ilegale, nuk paraqitet jo vetëm në ATK, por në mjetet e këmbimit të shitblerjes, të pagesave të pensioneve, ndihmave sociale të cilat Serbia gjithmonë i bënë pagesat me dinarë. Është për keqardhje se në kilometrin e katërt nga qendra e Prishtinës, ku kemi qeverinë dhe të gjitha organet tjera shtetërore që duhet të jenë funksionale, mjet pagese është dinari…Ne kemi ardhur në një situatë ku nuk mund të bëhet një bilanc i saktë i humbjeve, por sigurisht që këto humbje janë me miliona…Nuk kam fjalor me shpjeguar këtë të keqe e cila i ndodhë Republikës së Kosovës me çështjen e funksionimit si mjet pagese të dinarit të Serbisë”, ka thënë Maxhera për KP, duke shtuar se kjo çështje duhet patjetër të jetë një prej temave që duhet trajtuar në bisedimet të cilat po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com