Haradinaj – Stublla: Padia ndaj Mustafes e motivuar politikisht – shkelje e parimit të mosdiskriminimit

Haradinaj – Stublla: Padia ndaj Mustafes e motivuar politikisht – shkelje e parimit të mosdiskriminimit

Ka reaguar Ministrja e Jashtme dhe e diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ndaj padisë së bërë dje kundrejt Kryetarit të Këshillit Kombëtar në Luginë, Ragmi Mustafa, veçse pse e kishte ngritur flamurin kombëtar, njofton Insajderi.

Gjykata e Vranjës veprimin e Mustafës e ka cilësuar si nxitje të nacionalizmit, dhe si rrjedhojë e ka ngritur aktpadinë ndaj personit në fjalë, ndërsa veprimin e njëjtë të Mustafës, Haradinaj – Stublla e sheh si veprim normal.

Ndërsa iniciativën e Gjykatës së Vranjës, ajo e sheh si shkelje e parimit të mosdiskriminimit të pakicave.

“Padia e djeshme e gjykatës së Vranjës ndaj Kryetarit të Këshillit Kombëtar në Luginë, z.Ragmi Mustafa, veç se ai ka ngritur flamurin kombëtar shqiptar në vitin 2019, është qartazi e motivuar politikisht dhe në kundërshtim me parimin e mosdiskriminimit dhe mbrojtjes të të drejtave të komuniteteve etnike.

Në vend që të zotohet për njohje dhe avancim e të drejtave të komunitetit shqiptar, sidomos tani që kemi një dialog aktiv për njohje reciproke nën lehtësimin e aleatëve, Serbia vazhdon avazin e vjetër me politikë dhe institucione shqiptarofobike”.

Në fund Haradinaj – Stublla ka thënë se  “shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet njëherë e mirë t’i gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara, njësoj sikurse janë të garantuara të drejtat e zgjeruara të serbëve në Kosovë”./Insajderi.com