Lehtësimi i masave do të bëhet edhe për të burgosurit, të cilët pothuajse kanë qenë të privuar nga mundësia për t’i parë familjarët e tyre që nga data 13 mars, kohë kur në Kosovë u shfaqën dy rastetatr e para me Covid-19.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani, ka njoftuar se nga nesër, 14 shtator, ky institucion do fillojë së aplikuari masat lehtësuese për të burgosurit, njofton Insajderi.
Ndër masat që do nisë së zbatuari nga e hëna do të jetë edhe e drejta e shfrytëzimit të fundjavës në shtëpi, si dhe vizitat edhe të fëmijëve për të burgosurit.
Selmani tutje ka bërë të ditur se me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit, të gjithë të burgosurit që kthehen nga fundjava do të hynë në karantinë për disa ditë.
“Kemi marrë vendimin përmes urdhrit operativ, që nga data 14 shtator të fillojmë me lehtësimin e masave për të burgosurit, pushimin jashtë institucionit, që janë vikendet në shtëpi. Dhe prej javës së ardhshme presim që të burgosurit ta gëzojnë këtë të drejtë, që nuk e kanë shfrytëzuar që nga 13 marsi i këtij viti për shkak të pandemisë. Pas kthimit të burgosurit do t’i nënshtrohen karantinimit në hapësira të veçanta të institucioneve për disa ditë, në mënyrë që të ruhet shëndeti i personave të tjerë që qëndrojnë në institucione”.
Për shkak të situatës me pandeminë ShKK-ja, kishte reduktuar edhe vizita për të burgosurit. Por nga 14 shtatori, sipas Selmanit, gjithmonë duke respektuar masat, të burgosurit do të mund të presin nga dy vizitorë duke përfshirë edhe fëmijët./Insajderi.com