Fabrizi: BE nuk sheh arsye për zgjatje të procesit dialogues me Kosovën

Fabrizi: BE nuk sheh arsye për zgjatje të procesit dialogues me Kosovën

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, ka thënë se BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e gatshme të vazhdojë me shpejtësinë që palët e dëshirojnë, njofton Insajderi.

Fabrizi tha se BE e ka të qartë se nuk sheh ndonjë arsye për zgjatje të procesit më tutje.

Ai u shpreh se nuk ka arsye për të folur për kohëzgjatje apo për afate artificiale për dialogun. Megjithatë, siç tha ai, Përfaqësuesi Lartë i BE-së, Josep Borrell, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe shtetet anëtare të BE-së e kanë bërë shumë të qartë se nuk shohin arsye për të shtyrë procesin, raporton Blici serb.

“Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti bënë progres të plotë mbi çështjet e të pagjeturve/të personave të zhvendosur dhe për bashkëpunimin ekonomik, në mënyrë që më vonë t’i lënë anash këto tema dhe të përqendrohen në marrëveshjet për komunitetet jo-shumicë dhe zgjidhjen e pretendimeve reciproke financiare”, tha Fabrizi.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi nuk pajtohet me qasjen se Serbisë i duhet një zgjidhje për çështjen e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së, por se, sipas tij, kërkesa të këtilla nuk janë të pazakonshme.

“Është një interpretim i pjesshëm dhe i qëllimshëm që kërkon ta shohë tërë procesin e pranimit [të Serbisë] vetëm përmes procesit të normalizimit të raporteve me Prishtinën, derisa gabimisht mënjanon rolin e pjesës tjetër të reformave”, tha ai. /Insajderi.com