Sot nis faza e parë e vitit të ri shkollor në kohë pandemie

Sot nis faza e parë e vitit të ri shkollor në kohë pandemie

Sot ( e hënë) nis procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës pas një pauzimi disa muaj për shkak të pandemisë COVID-19.

Në muajin mars ishin mbyllur shkollat pak ditë para se më 13 mars të shpërthente pandemia në vend.

Si alternativë ishte vendosur që të zhvillohet mësimi virtual, por për këtë shtator është vendosur që shkollat të hapen, përkundër asaj që pandemia nuk ka kaluar.

Me vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë COVID-19.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka propozuar që më datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat e vendit.

Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.

Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe MASH ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë.

Përpos maskave të siguruara nga DKA-të, partnerët, donatorët dhe vetë shkollat, MASH dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë dhe ka planifikuar një pjesë të buxhetit për maska, mjete tjera mbrojtëse dhe dezinfektuese, kështu që shkollat do të kenë fond rezervë të maskave, ka bërë të ditur MASH.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të jetë shumë strikte në vlerësimin e masave, respektimin e udhëzuesve e protokolleve për të ngritur disiplinën dhe për ta ruajtur shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Edhe IKSHPK ka theksuar se rëndësinë e respektimit të tri rregullave themelore gjatë procesit mësimor, sikurse janë mbajtja e maskës, distancës dhe higjienës. /Insajderi.com