Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor.
Osmani ka thënë se nxënësit nuk do ta fillojnë mësimin sikur në vitet e kaluara për shkak të virusit COVID-19.
Por, sipas kryetares së Kuvendit – ballafaqimi i vetëm I nxënëseve nuk është përballja me pandeminë, por edhe ‘nxënja e dijes’.
“Prandaj, më lejoni që t’ju uroj një vit të mbarë, në të cilin do të keni shëndet të plotë dhe do të arrini rezultate të shkëlqyera në mësim. Jam e sigurt që edhe në rrethanat e si vjetme ju do t’ia dilni të dëshmoni përkushtim në mësim dhe të arrini rezultate të shkëlqyera”, thuhet ndër tjerash në urimin e Osmanit. /Insajderi.com
Urimi i plotë i Osmanit:
Të dashur nxënës!
Të nderuar mësues!
Sot ju po e nisni një vit të ri shkollor.
Fatkeqësisht ju nuk po e nisni atë më 1 shtator, si çdo vit, as me të gjithë shokët e shoqet, si përherë. Sot ju po e nisni atë në rrethana të pazakonta, për shkak të pandemisë Covid 19.
Por, ballafaqimi me të nuk është sfida e vetme. Sikur e dini, sfidë e madhe për ju është sfida e të nxënit të dijes.
Prandaj, më lejoni që t’ju uroj një vit të mbarë, në të cilin do të keni shëndet të plotë dhe do të arrini rezultate të shkëlqyera në mësim. Jam e sigurt që edhe në rrethanat e sivjeme ju do t’ia dilni të dëshmoni përkushtim në mësim dhe të arrini rezultate të shkëlqyera.
Ju duhet ta dini se secili vit sjell sfida të reja, por edhe kënaqësi të reja, ngjyra të reja të cilat jeta jua ka rezervuar.
Uroj që ju t’i shndërroni ato në ngjyra suksesi për ju, familjet tuaja dhe gjithë shoqërinë. Ju priftë e mbara!