Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryetare e komisionit për Siguri në Kuvend ka thënë se si komision do të kërkojnë llogari nga ministri i Brendshëm, Agim Veliu për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë.
Ajo në Express Intervista të KTV-së ka deklaruar se raportimi i Veliut duhet të bëhet kur ka kohë të mjaftueshme për të gjitha pyetjet e anëtarëve të komisionit.
Ajo ka thënë se ministri po ashtu edhe delegacioni i cili përfaqësoi Kosovën në dialog nuk po e shohin atë pjesë si kufi ndërshtetëror.
“Ministri si duket por edhe ky delegacion nuk po e sheh atë kufi si ndërshtetërore në Karaçevë. Aty është cenuar edhe integriteti i shtetit e pastaj po na sjellin edhe marrëveshje të dëmshme për vendin. Nëse e kemi një qeveri të përgjegjshme, pika e parë do të ishte njohja reciproke. Hoti tha se unë po shkojë për njohje, por ajo çka po sjellë është ri aktualizimi i marrëveshjeve të parealizuara”, ka thënë ajo.
Hyrjen e trupave të xhandarmërisë serbe në Karaçevë, ajo e ka quajtur cenim të integritetit të shtetit.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se delegacioni kosovar në Uashington shkoi si palë që harroi që është shpallur pavarësia e Kosovës.
Duke folur për sigurinë në vend gjatë kohës së pandemisë, ajo ka thënë se Qeveria Kurti kishte marrë masa të cilat ndihmuan qytetarët.
Sipas saj, gjatë kësaj kohe ka pasur degradim të masave.
Ajo ka folur edhe për Ligjin për paga dhe pakënaqësitë e kategorive të ndryshme./Insajderi,com