Osmani: Demokracia po rrezikohet nga qeveritë e pakicës dhe shpërfilljes së vullnetin qytetar

Osmani: Demokracia po rrezikohet nga qeveritë e pakicës dhe shpërfilljes së vullnetin qytetar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se demokracia po rrezikohet nga manipulimi i vullnetit të shumicës qytetare, duke konsideruar të tillë edhe zgjedhjen e qeverisë së pakicës të Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë përmes një adresimi për qytetarët, kryeparlamentarja Osmani theksoi se duke mbrojtur vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë mbrohet demokracia në Kosovë.

“Demokracitë sot rrezikojnë të zhbëhet nga përfaqësimi i pakicës ose nga shpërfillja e vullnetit të shumicës qytetare. Në shumë vende të botës përfaqësues të caktuar politikë kanë arritur të manipulojnë demokracinë duke manipuluar kështu vullnetin e shumicës qytetare. Rreziku shtohet kur ky manipulim bëhet edhe përmes devijimit të ligjeve për të arritur qëllime të caktuara politike. E tillë është zgjedhja e qeverive të pakicës e cila shpërfill vullnetin e shprehur qartë nga qytetarët. Një skenar që fatkeqësisht është mirënjohur edhe në vendin tonë…duke mbrojtur vullnetin tonë të qartë të shprehur me votë ne e mbrojmë demokracinë që e ndërtuam me shumë mund dhe sakrificë”, tha ajo.

Përveç këtij adresimi të Osmanit në Ditën e Demokracisë gjatë ditës pritet të ketë edhe aktivitete tjera. /Insajderi.com