Sindikata e Policisë me ultimatum ndaj Qeverisë për 300 eurot nga pakoja – paralajmërohen protesta

Sindikata e Policisë me ultimatum ndaj Qeverisë për 300 eurot nga pakoja – paralajmërohen protesta

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre për shpërndarjen e pagesës prej 300 eurove nga Pakoja Emergjente, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur, Shaban Tasholli, përfaqësues i kësaj sindikate në mbledhjen e Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

“14 orë çizmet nuk na ndahen. Policia nuk ka shujta 12-orëshe, që me ligj i takon. Nuk i paguhen orët shtesë. Kërkesa jonë është që të realizohet paketa 300 eurove, ndërrimi i natës, puna jashtë orarit dhe shujta. Asnjë përgjigje s’kemi nga Qeveria e Kosovës. Ne e kemi sot afatin e fundit për kërkesat tona. E them me shumë përgjegjësi, se policia është mbështetur për muri”.

“Protesta do të ndodhë dhe ne protestën mund ta kemi në kontroll 1 orë.  Nuk dëshirojmë protestën, por jemi në situatën që jemi të detyruar ta bëjmë. Në Qeverinë e Kurtit me ministrin Xhelal Sveqla kemi arrit t’i merrnim 300 euro për dy muaj. Tani me Qeverinë e Hotit ndalen të gjitha, nuk ka asnjë përgjigje”, është shprehur ai.

Punonjësve të këtij institucioni iu është premtuar pagesë prej 300 eurove nga Qeveria e kaluar, të cilën e drejtonte Albin Kurti, vendim ky i vazhduar edhe nga kryeministri aktual, Avdullah Hoti, por që shumë zyrtarë policorë nuk janë furnizuar me mjetet e premtuara për shkak të punës së tyre gjatë pandemisë. /Insajderi.com