Konjufca: Disa pika të marrëveshjes i ka konstruktuar Serbia dhe jo SHBA-ja

Konjufca: Disa pika të marrëveshjes i ka konstruktuar Serbia dhe jo SHBA-ja

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se e mira e marrëveshjes në Uashington është vetëm vendosja e relacioneve diplomatike me Izraelin, njofton Insajderi.

“Sa i përket pikave tjera, Marrëveshja e Uashingtonit është e dëmshme për Kosovën, e sidomos ajo që lidhet me Ujmanin dhe Minishengenin, ka thënë Konjufca në emisionin Rubikon”.

“Kur t’i vendosim katër pika tjera karshi kësaj, që është fillimisht tërheqja nga njohja, e dyta është krijimi i kësaj zone të lirë ekonomike bashkë me Serbinë ku ka pranuar të hyjë Qeveria e Kosovës në të ashtuquajturin projekt i Mini-Shengenit. Pra, para se të na njohë Serbia do që të krijojë një zonë të përbashkët ekomomike me Kosovën. Edhe Kosova kishte refuzuar deri tash me këtë Qeveri. Kosova e ka kritikuar vazhdimisht deri në momentin kur e qiti nënshkrimin Avdull Hoti”.

Tutje Konjfuca ka shtuar se pika e katërt e marrëveshjes është e dëmshme për Kosovën meqë e suspendon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

“Pika e katërt shumë negative për Kosovën është gatishmëria me vullnet të plotë që të suspendojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pra, subjektivitetin ndërkombëtar një shtet e ushtron edhe duke e pas të drejtën e vet për aplikim në organizata  të rëndësishme ndërkombëtare”.

Konjufca më pas tha se për këtë heqje dorë e fajëson Qeverinë e Kosovës duke thënë se SHBA pa kursyer asgjë ka përkrahur Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ku ka pas ndikimin. Ai shton se në këtë drejtim nuk është interes i SHBA-së që Kosova të pezullojë këtë aktivitet tepër të rëndësishëm për shtetësinë e saj.

Derisa tha se Serbia po shkel marrëveshjet e nënshkruara në Uashington, Konjufca është i bindur se rëndësia e marrëveshjes duhet të jetë në përmbajtje dhe jo në vendin ku u nënshkrua – edhe pse këtë të fundit e konsideroi si të mirë për Kosovën.

“Kur hyn edhe e shqyrton përmbajtjen edhe e sheh se çfarë firme ka vendosur Qeveria e Kosovës, në ato pika që unë jam i bindur se i ka konstruktuar Serbia dhe jo SHBA-ja. Këto pika që kanë lidhje enkas me Serbinë”./Insajderi.com