Bashkimi Evropian: Kosova e ka obligim ta zbatojë Asociacionin

Bashkimi Evropian: Kosova e ka obligim ta zbatojë Asociacionin

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se, “Kosova e ka obligim ndërkombëtar ta zbatojë marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, Stano, tha se Kosova ka ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas tij, “I mbetet Kosovës ta thotë se si do ta zbatojnë atë marrëveshje”.

“Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit në proces dhe është e vlefshme. Për më tepër, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës. Kosova ka bërë kështu një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. U takon atyre të thonë se si do ta zbatojnë atë,” tha Stano.

Në anën tjetër në vendin tonë po kundërshtohet kjo marrëveshje, në radhën e kundërshtarëve është përfshirë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili Asociacionin e ka quajtur “të rrezikshëm”.

Ndërsa, kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë Asociacion me Kompetenca Ekzekutive. /Insajderi.com