A do ta ketë Ballkani Perëndimor fatin e Turqisë: Ballkani nuk do të hyjë në BE para vitit 2030?

Nëse nuk bëhen ndryshime në metodologji dhe tempo të këtij procesi, asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian para vitit 2030, pretendohet në studimin më të ri të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI).

A do ta ketë Ballkani Perëndimor fatin e Turqisë: Ballkani nuk do të hyjë në BE para vitit 2030?

Në këtë dokument citohet deklarata e ish shefit të diplomacisë gjermane Joschka Fischer, nga viti 2010, i cili i pyetur çfarë “forme” do të ketë BE në dy dekadat e ardhshme, ishte përgjigjur se “e përjashton mundësinë e zgjerimit ndaj cilitdo vend ballkanik deri në vitin 2030”, duke argumentuar se “Evropa është në gjendje të thellë të sëmundjes… pozitat nacionale në gjithë BE janë thjesht shumë të ndryshme”.

Siç konstatohet, situata aktuale tregon se “Fischer ka pasur “sferën e kristaltë”.

Sipas autorëve të analizës, shteteve të Ballkanit Perëndimor kërcënon rreziku i përsëritjes së fatit të Turqisë “që kurrë të mos hyjnë në BE”.

Në këtë kontest, përmendet se kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet prejse shteti i fundit është bërë anëtare e BE, e kjo është Kroacia.

Kur bëhet fjalë për të tjerët në Ballkan, theksohet se Maqedonia e Veriut është paraqitur për anëtarësim në vitin 2004, u bë kandidate pas një viti, por ende nuk i ka “hapur” negociatat me Brukselin, se Mali i Zi po negocion për anëtarësim tetë vjet, “me çka e ka tejkaluar Kroacinë”.

“Statistikë të njëjtë dëshpëruese” është pretenduar edhe për Serbinë, e cila ka nisur negociatat para gjashtë vjetëve, dhe për gjithë këto vjet ka mbyllur vetëm dy kapituj, derisa Shqipëria po përpiqet më shumë se një dekadë të fitojë “dritë të gjelbër” për hapje të negociatave, ndërsa Bosnja nuk ka arritur kurrfarë përparimi prej vitit 2016, kur e ka dorëzuar kandidaturën.

Për Kosovën pretendohet se as nuk ka mundur të paraqitet për anëtarësim, për shkak se nuk e njohin të gjitha anëtaret e BE./Insajderi.com.