A do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente, flasin nga PDK dhe LDK

A do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente, flasin nga PDK dhe LDK

Partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Levizja Vetëvendosje është e bindur se subjektet tjera parlamentare nuk do të bëhen pengesë për formimin e institucioneve.

Por, ndryshe thonë nga Partia Demokratike e Kosovës. Nga kjo parti dekalrojnë se nuk kanë vota për Vjosa Osmanin si presidente.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesë e së cilës ishte Osmani para se ta formonte iniciativën e saj, shprehën në mëdyshje për vendimmarrjen që do ta kenë në momentin e zgjedhjes së presidentit.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu thotë se humbësit e zgjedhjeve e kanë kuptuar mesazhin e qytetarëve dhe nuk do të bëhen pengesë për formimin e institucioneve.

“Besoj që (PDK-LDK-AAK) e kanë kuptuar edhe rezultatin, edhe nevojën për reformë të brendshme për diskutim që shkakton një reformim të brendshëm. Për këtë besoj se ata nuk do të paraqesin asnjë pengesë për formimin e institucioneve, pasi ndonëse mund të tingëllojë paradokse, është për të mirën e tyre”, deklaron ai.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi thotë se nuk kanë votë për Vjosa Osmani si presidente, pasi nuk dëshirojnë të bëhen patericë e asnjë partie tjetër politike.

“Nuk besoj që Partia Demokratike e Kosovës është votuar nga mijëra qytetarë që të jetë patericë e partive tjera të cilat kanë fituar këto zgjedhje dhe po tregohen të paaftë për të zgjidhur këtë çështje. Ne jemi parti opozitare, si e tillë do të sillemi edhe në Kuvend…Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për zonjën Osmani si presidente”, thotë ai për KP.

Naser Rugova nga LDK thotë se vendimin për votimin ose jo si presidente të Vjosa Osmanit duhet ta merr kryetari dhe kryesia e re e partisë.

Megjithëkëtë, ai deklaron, se mbetet edhe në vullnetin e deputetëve të zgjedhur, pasi, sipas tij, të njëjtit mund t’ia bëjnë kuorumin Osmanit për t’u bërë e para e shtetit.

“Ajo nëse pretendon të bëhet presidente, duhet të bisedojë me të gjitha paritë politike, duhet të afrojë konceptin dhe vizionin e saj dhe është përgjegjësi e tuesit të garës si do t’i bëjë numrat. Por unë mendoj që deputetët e LDK-së në qoftë se, disa nga ata e kanë zgjedhur Hashim Thaçin president, mos ta votojnë zonjën Osmani, por pse mos ta bëjnë kuorumin. Tek e fundit e kanë fituar garën dhe ne e kemi humbur zgjedhjet”, deklaron Rugova.

Vjosa Osmani ka mandat deri më 5 maj të qëndrojë në zyrën e presidentit të vendit si ushtruese detyre, ndërsa procedurat për zgjedhjen e të parit të shtetit duhet të llojnë një muaj më herët, më 5 prill./Insajderi.com