A do të kthehet në Kosovë ish-prokurori Elez Blakaj – tregon Ministrja e Drejtësisë

A do të kthehet në Kosovë ish-prokurori Elez Blakaj – tregon Ministrja e Drejtësisë

Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 6 tetorit, pati thënë se do punojnë që të shkarkojnë kryeprokurorin Aleksandër Lumezi. Ai premtonte kthimin e Elez Blakajt në Kosovë pasi që kishte ikur në Amerikë, për sic kishte thënë presioneve nga shefat. Kurti madje pati bërë edhe një lojë me fjalë “Le të ecë Lumezi, që të kthehet Elezi”.

Pak muaj pas kësaj deklarate, Albin Kurti mori drejtimin e qeverisë, e Ministria e Drejtësisë do të udhëhiqet nga kolegia e tij, Albulena Haxhiu.

Lidhur me këtë cështje, ministrja Haxhiu në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nuk ka thënë se do të kthehet Blakaj, mirëpo rastin e tij e ka cilësuar si fenomen ku politika gjithmonë ka ndërhyrë në drejtësi.

“Fillimisht nuk duhet harruar çka paraqet, jo emri konkret Elez Blakaj, por fenomeni i tij. Rasti i prokurorit Elez Blakaj për ne paraqet formën më tipike se si ka funksionuar drejtësia në vend, pra ky rast shënon përndjekjen që politika i ka bërë një prokurori i cili ka guxuar të hetojë një rast që do të prekte edhe vet njerëzit e qeverisjes së kaluar. Në këtë rast, duke mos u mbrojtur as nga kryeprokuroria, Blakaj ishte larguar nga vendi”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.

Haxhiu ka thënë se janë munduar që ta përmbysin këtë raportim ku politikani përndjek prokurorinë, por duhet të ndodh e kundërta.

“Përpjekja e kahmotshme e jona ka qenë që drejtësia duhet të kthehet në vend dhe se ajo duhet të merret veçanërisht me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe se Republika e Kosovës duhet të bëhet vend ku nuk mund të kërcënohet drejtësia nga pushteti. Kësisoj ne jemi përpjekur të përmbysim këtë raportin ku politikani i korruptuar përndjek prokurorin, duhet ndodhë e kundërta”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se “në kuadër të kësaj përpjekje të gjithë të kërcënuarit nga politika e deritashme do të mund të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm dhe nuk mund t’i kërcënojë askush në të drejtën e tyre. Kosova është vend demokratik dhe nuk ka vend për kërcënim për askënd, ndërkohë drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe nuk do të ketë tolerancë për askënd.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosej edhe në një takim me qytetarë në Podujevë kishte premtuar se kur të vjen në krye të Qeverisë, ish-prokurorin Elez Blakajn do ta kthenë në vend dhe do ta bëjë Kryeprokuror.

“Prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë. Atë do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit dhe nuk do të guxojë askush që ta kërcënojë”,kishte thënë Kurti.

Ish-Prokurori special, Elez Blakaj, përmes një postimi në Facebook kishte dhënë disa nga arsyet e dorëheqjes së tij. Përmes një letre, Blakaj kishte thënë se ai dëshiron të përcjell dy porosi. E para është protestë dhe e dyta një mesazh.

Ndër tjerash ai ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, i ka kërkuar atij llogari se pse në mesin e dëshmitarëve e ka ftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin. /Insajderi.com