A do të negociojnë VV dhe LDK për çështjen e presidentit – Flet Arbërie Nagavci

A do të negociojnë VV dhe LDK për çështjen e presidentit – Flet Arbërie Nagavci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, mbrëmë nuk nguroi të shfaqë hapur dëshirën e tij për të qenë president i Kosovës. Këtë e bëri në një emision në Klan Kosova. 

Mustafa e la të hapur mundësin që ky post të diskutohet edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, duke pasur parasysh se të dy subjektet janë duke negociuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Ndërkohë anëtarja e kryesisë së Vetëvendojes, Arbërie Nagavci, në një prononcim për Insajderi, ka thënë që dëshirat personale e invividuale të njerëzve mund të jenë të ndryshme, por që nuk është biseduar deri më tani për këtë çështje në bisedimet ndërmjet VV-së dhe LDK-së.

“Deri tani nuk është biseduar për çështjen e Presidenit, dëshirat personale e invividuale të njerëzve mund të jenë të ndryshme, por nuk është biseduar deri më tani për këtë çështje”, tha Nagavci për Insajderi.

Tutje, ajo është shprehur se Lëvizje Vetëvendosje është e gatshme për t’i diskutuar të gjitha çështjet të cilat janë në interes të vendit, ndërsa vendimet do të marrin gjatë analizave bashkë me organet e brendshme të VV-së.

“Ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë të gjitha çështjet të cilat janë në interes të vendit, ndërsa vendimet i marrim me analizë bashkë me organet tona, kështu që nuk mund të them tani asgjë për këtë”, tha Nagavci.

E pyetur se a do të negociohet çështja e presidentit në takimin e sotshëm ndërmjet grupeve punese të VV-së dhe LDK-së, Nagavci ka treguar se në takimin që do të mbahet sot do të diskutohet vetëm për çështjet programore.

“Është një grup i miratuar në kryesi nga Lëvizja, pjesë e grupit punues do të jenë zotri Besnik Bislimi dhe Glauk Konjufca, ata do të bisedojnë për harmonizimin e programeve të dy partive tona, në menyrë që t’i përafrojmë qendrimet për një qeverisje të përbashkët, ndërsa, nëse ka kërkesa sikurse kjo, atëherë duhet fillimish t’i diskutojmë me organet tona, më pastaj duhet të vazhdojnë diskutimet”, ka thënë Nagavci.

Kujtojmë që grupet punuese të krijuara nga LDK-ja dhe Vetëvendosja, do të takohen sot për të harmonizuar programin që mund të çojë drejt një marrëveshjeje paszgjedhore.

Grupi Punues i Vetëvendosjes përbëhet nga Besnik Bislimi dhe Glauk Konjufca, ndërsa LDK-në në këto negociata e përfaqësojnë tre anëtarët e kryesisë, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti./Insajderi.com