A do të përfshihet diaspora shqiptare në regjistrimin e popullësisë

A do të përfshihet diaspora shqiptare në regjistrimin e popullësisë

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut pritet të realizohet nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2020, por vetëm nëse partitë në pushtet harmanizojnë qëndrimet lidhur me realizimin e këtij procesi statistikor.

Propozimi-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ndodhet në Qeveri dhe me të parashihet përfshirja edhe e diasporës, por me një shtojcë të veçantë, ndërsa do të ketë edhe një tjetër për përkatësinë etnike të banorëve, që më parë ishte përjashtuar si mundësi për shkak të rrezikut të dështimi të regjistrimit sikur në vitin 2011.

Ishte pikërisht lënia anash e diasporës, që kryesisht është shqiptare, ajo që kishte çuar në dështimin e regjistrimit, meqë anëtarët shqiptarë në Komisionin e Regjistrimit, por edhe partitë politike, druanin se kjo do të çonte në uljen e përqindjes së shqiptarëve, të cilët me regjistrimin e vitit 2002 janë 25.17 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe të drejtat janë të lidhur pikërisht me përqindjen prej mbi 20 për qind, që është edhe pjesë e Kushtetutës.

Partitë shqiptare në Qeveri, siç bëhet e ditur jo zyrtarisht kërkojnë që regjistrimi të mos jetë e drejtë ekskluzive e kreut të Entit të Statistikës, por përgjegjësia të ndahet edhe me zëvendësin e tij, ndërsa i gjithë procesi të jetë nën kompetencën e Qeverisë. Dallime ka edhe për diasporën, e cila në bazë të propozimit, mund të vetëregjistrohet në zyra jashtë vendit.

Enti shtetëror i Statistikës shumë herë ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë gjithçka për realizimin e regjistrimit të popullsisë, për shkak të rëndësisë që ka për shumë procese tjera apo projektimin e politikave financiare, arsimore, sociale e kështu me radhë.

“Regjistrim në Maqedoni patjetër të ketë. Nuk bëhet fjalë as për vullnetin tonë e as për diçka tjetër, por është nevojë për këto të dhëna, dhe duhet t’i sigurojmë ato. Problem në regjistrimin e fundit ishin ndikimet politike dhe të gjitha aktivitetet tona për këtë regjistrim, kryesisht janë orientuar në shmangien e ndikimeve nga partitë. Regjistrimi është operacion statistikor dhe patjetër të mbetet si i tillë”, thotë Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.

Ekspertët shqiptarë, ndërkohë dilemat kryesore i kanë në pjesën e regjistrimit të diasporës. Akademiku Izet Zeqiri, njohës i çështjeve statistikore, thotë se modeli i vetëregjistrimit është i papranueshëm pasi mund të përjetojë fatin e zgjedhjeve parlamentare, ku në diasporë interes për të votuar kishin shprehur vetëm se disa qindra mërgimtarë.

“Modeli i propozuar për vetëregjistrimin e mërgimtarëve mendoj se është i papranueshëm, por edhe sikur ajo të regjistrohet mendoj se numri do të jetë shumë i vogël apo fare simbolik. Ka gjasa që ky sistemi i regjistrimit të përjetojë fatin e votimit të diasporës në zgjedhjet parlamentare. Siç e dimë paraqitja e tyre për të votuar ka qenë shumë e ulët. Pra, përkundër faktit se kishte me dhjetëra mijëra mërgimtarë me të drejtë vote, por vetëm disa qindra shfrytëzuan të drejtën për të votuar”, thotë Zeqiri.

Edhe ai vlerëson se regjistrimi i diasporës më mirë do të ishte të bëhet në vendlindje nga familjarët, apo edhe në kohën kur mërgimtarët kthehen për pushime në vendlindje.

“Unë mendoj se është e domosdoshme që regjistrimi i mërgimtarëve të bëhet nga vetë ata në vendlindje, apo të bëhet nga familjarët e tyre në bazë të dokumentacionit që posedojnë. Kjo do të ishte një mënyrë më e mirë e regjistrimit, ndërsa më efektive për procesin do të ishte që të bëhet edhe zhvendosja e kohës së realizimit të këtij operacioni apo të realizohet kur mërgimtarët kthehen në vendlindje”, thotë akademiku, Izet Zeqiri.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka nxitur debate mes dy etnive më të madha, shqiptarëve të cilët pretendojnë të jenë në numër më të lartë se 25 për qind, dhe maqedonasve, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i ulët se ai në regjistrimin e vitit 2002, prej 22.17 për qind.