A PO A JO?

A do të përfshihet PDK në Qeveri?

Vazhdimisht është diskutuar përfshirja e Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti, kjo pasi në formatin aktual të Qeverisë ka qenë e pamundur të votohen projektligje të rëndësishme; si ai i Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Burime të Insajderi-t brenda PDK-së kanë thënë se është duke u diskutuar mbi hyrjen eventuale të partisë së Kadri Veselit në Qeveri. Por, PDK zyrtarisht mohon një gjë të tillë, duke e ripërsëritur se i respektojnë zgjedhjet e 6 tetorit prej të cilave PDK mbeti subjekt opozitar.

A do të përfshihet PDK në Qeveri?

“PDK nuk e ka diskutuar çështjen e hyrjes në Qeveri as në të kaluarën e as tash”.

I prerë është shprehur zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyci, në kohën kur janë shtuar zërat se një formatizim i ri qeveritar do të ndodhë.

Bytyçi në një prononcim për Gazetën Online Insajderi.com, tha se 6 tetori “është i “pandryshueshëm” e që PDK është parti opozitare.

“Qëndrimi zyrtar i PDK-se pas zgjedhjeve te 6 tetorit është i pandryshueshëm. PDK është parti opozitare”, tha ai.

Por, burime të Insajderi-t brenda Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se është duke u diskutuar përfshirja e partisë së Kadri Veselit në Qeverinë Hoti.

Insajderi merr vesh se ende nuk është arritur asgjë konkrete në këtë drejtim, por diskutime ka.

Trajtimi i kësaj teme në PDK është rritur në momentin kur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, hoqi “vijat e kuqe” për partinë e Veselit.

Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht në publik nga disa zyrtarë të PDK-së.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të subjektit opozitar, Bedri Hamza, në një paraqitje televizive, kishte deklaruar se koalicioni i ardhshëm duhet t’i ketë 80 vota.

“Koalicioni i ardhshëm kur të bëhet duhet t’i ketë të paktën 80 vota, përndryshe çdo numër tjetër do ta dërgonte vendin në zgjedhje prapë për shkak të zgjedhjes së presidentit”.

Mandati i presidentit skadon në marsin e vitit të ardhshëm.

Njëri ndër pretendentet për këtë pozitë, Ramush Haradinaj, ka potencuar të martën se nuk është kundër zgjerimit të Qeverisë.

Zgjerimi i Qeverisë është parë si një mundësi që Qeveria të ketë stabilitet.

Mungesa e numrave në Kuvend ka bërë që të mos kalojë për disa herë rresht projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. /Insajderi.com