A do të përsëritet rrahja me karrige në LDK, flet Beqiri

A do të përsëritet rrahja me karrige në LDK, flet Beqiri

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka shprehur bindjen e tij se nuk do të përsëritet “Kuvendi i Karrigeve” në 2006, që kishte rezultuar me ndarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Jam shumë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, po e them prej këtu, po i çoj selam cilitdo që tenton të bëjë diçka të tillë që ka për të dështuar”, tha Beqiri në Info Magazine.

“Nuk besoj që ka ndonjë person në LDK, ose ndonjë figurë, përfshirë edhe mua që ‘skam pasur kurrë asi vullneti për të bërë aso përçarje”.

“Po ju them hapur, nuk ka me pas kaçik asnjëri për ta dëmtuar LDK-në”.

“Ajo që ka ndodhur më 2006 është një storie e tejkaluar”.

“Mund të ketë rivalitete, mund të ketë grupime, por vota ka për të folur në fund”.

Beqiri tha se anëtarët e kësaj partie nuk do t’i shkojnë pas askujt që për interesa shumë të ngushta tenton që të dalë në rendin e parë.

“Besoj që edhe anëtarësia jonë, nuk ka për t’i shkuar pas kujtdo qoftë që për interesa shumë të ngushta tenton veç të dalë në rend të parë”.

“I vjen rendi krejt. Duhet të ketë gajret, duhet të ketë durim”, përfundoi Beqiri.