A do të takohen sot Kurti e Mustafa, flasin nga Lëvizja Vetëvendosje

A do të takohen sot Kurti e Mustafa, flasin nga Lëvizja Vetëvendosje

Sot është dita e fundit e ultimatumit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, që ta pranojë ose jo ofertën e dërguar, në të cilën po e kërkon postin e kryeparlamentarit.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse dy kryetarët e partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, do të zhvillojnë takim për të diskutuar rreth mundësisë së arritjes së marrëveshjes, shkruan Gazeta Insajderi.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se nuk ka informata nëse do të zhvillohet ndonjë takim mes dy liderëve për të diskutuar rreth arritjes së marrëveshjes për koalicion qeverisës.

“Për takim nuk kam asnjë informatë”, ka thënë shkurt, Manxhuka.

Një përpjekje për ta bindur Mustafën për të arritur koalicion qeverisës, kryetari i Vetëvendosjes e ka bërë edhe gjatë të premtes në mbrëmje.

Albin Kurti, i ka shkuar në shtëpi Isa Mustafës në Prapashticë, të cilën dikur e quante ranç, ku kanë negociuar mundësitë për të dal nga ngërçi politik, shkruan Gazeta Insajderi.

Burime të Gazetës Insajderit brenda procesit kanë treguar se negociatat kanë qenë të vështira dhe nuk është arritur marrëveshje.

Vite më parë Vetëvendosje kishte protestuar tek shtëpia e Mustafës në Prapashticë duke kërkuar që Mustafa mos t’i falë territor Serbisë me anë të nënshkrimit për marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe por t’ia falë “rançin” e tij. Mustafa e kishte akuzuar Kurtin se ia ka sulmuar shtëpinë ku i kishte nipat dhe mbesat.

Derisa Kurtit, të mandatuarit për kryeministër, i kanë mbetur vetëm dhe 10 ditë për krijimin e qeverisë.

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve. /Insajderi.com