“KFOR -i mbetet i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
Kështu është përgjigjur një “zyrtar i paemëruar i NATO -s” kur është pyetur nga Shqip.com nëse patrullimi i tre helikopterëve serbë afër pikave kufitare me Kosovën është kërcënim i drejtëpërdrejtë nga ushtria serbe.
Helikopterët serbë janë parë duke patrulluar rreth kufirit në ditën kur protestuesit serbë kanë bllokuar rrugët si shenjë revolte për vendosjen e reciprocitetit me targat serbe nga Qeveria e Kosovës.
“Tre helikopterët ushtarakë serbë, të tipit ‘Gazela’, duket se kanë thyer Marrëveshjen e Kumanovës dhe marrëveshjen me NATO-në, sepse kanë hyrë në territor ku nuk guxojnë të hyjnë”, ka thënë Musliu për ATV.
Kurse, lidhur me tensionet në Veri të Kosovës, mbrëmjen e së premtes ka reaguar edhe NATO duke kërkuar shtensionim të situatës dhe dialog mes dy shteteve.
Ndryshe, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitetin e targave me Serbinë, sipas të cilit, çdo veturë që hyn në Kosovë duhe t’i ndërrojë targat e veturave me ato të përkohshme të Kosovës.
Si shenjë revolte për këtë, banorët serbë në komunat veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugët.
Për të mbikëqyrur situatën, atje janë pozicionuar Njësitet Speciale të Kosovës, që po qëndrojnë që nga e hëna./SHQIP.com