A e ka në plan Kurti të flas për të pagjeturit në Bruksel?

A e ka në plan Kurti të flas për të pagjeturit në Bruksel?

“Çështja e të zhdukurve dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të jenë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport edhe me Serbinë”.

Kështu deklaroi të martën kryeministri i vendit, Albin Kurti, me rastin e Ditës Kombëtare të të Pagjeturve, ndonëse i njëjti derisa po fliste para mediave refuzoi të tregojë nëse kjo çështje do të jetë temë diskutimi gjatë vizitës së tij në Bruksel.

E heshtur ka qenë edhe zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, kur është pyetur nga Insajderi për përfshirjen e temës së të pagjeturve në vizitën e Kurtit në Bruksel.

“Lidhur me pyetjet e juaja, ju lutem t’i referoheni qëndrimit të Kryeministrit në profilin e tij në Facebook”, thuhet në përgjigjen e Kelemendit.

Por, statusi i Kurtit në Facebook nuk shpalosë shumë. Pos që thuhet se kjo çështje do të jetë prioritet i qeverisë edhe në raport me Serbinë.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gerxhaliu, në një prononcim për Insajderi-n bëri të ditur se me kryeministrin Kurti nuk ka pasur ende asnjë takim.

Ai tha se gjatë së hënës ka zhvilluar një takim me kabinetin qeveritar të përbërë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci si dhe këshilltarja e kryeministrit, Furtuna Sheremeti.

Gjatë këtij takimi, Gërxhaliu theksoi se i ka njoftuar për hapat që kanë ndërmarrë deri tani në procesin e gërmimeve, një ditë para se Kurti të niset për në Bruksel.

“Dje kam pasur takim me kabinetin qeveritar, ku iu kam dhënë raportin për Kizhevak, kurse me z.Kurti ende nuk kam pasur asnjë takim. Dje I raportova me detaje kabinetit të z.Kurti për çështjen e marrjes së veprimeve në Kizhevak. Ky raportim ka qenë një informim për Kurtin para se të shkojë në Bruksel, lidhur me atë se ku jemi, çfarë kemi ndërmarrë, cilat janë kërkesat tona. Kam mbajtur takim me znj.Haxhiu, znj. Bogujevci, znj.Sheremeti, ku iu kam shpjeguar krejt procesin në detaje”, potencoi ai.

Gërxhaliu tutje njoftoi se më 5 maj do të rifillojnë gërmimet në Kizhevak.

Më 27 prill në Kosovë shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur.

Shënimi i kësaj dite bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës 15 deri 75 vjeç./Insajderi.com