A e mbajtën fjalën tri komunat që premtuan shpërblim për raportim të korrupsionit?

Të paktën tre kryetar komunash, gjatë fushatës zgjedhore, patën premtuar se do të shpërblejnë me para qytetarët që raportojnë raste të korrupsionit. Shumat e premtuara kapin shifrat deri në 2 mijë euro. Por asnjëri prej tyre, deri tash nuk e ka shpërblyer askënd.

A e mbajtën fjalën tri komunat që premtuan shpërblim për raportim të korrupsionit?

Xhafer Tahiri, Lutfi Haziri dhe Agim Bahtiri gjatë garës për kryetar komunash, patë dhënë premtim, se nëse votohen për kryetar, do të shpërblejnë me para qytetarët që lajmërojnë raste korruptive në komunat e tyre. Patën premtuar shuma deri në 5 mijë euro.

Të tre arritën që të marrin këto poste, por asnjëri prej tyre nuk e ka shpërblyer askënd deri tash, shkruan Insajderi.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri thotë se ka pranuar përmes një mesazhi një rast të raportimit nga një qytetar.

“Ka qenë një rast i raportimit që një qytetar më ka dërguar mua mesazh dhe unë menjëherë këtë rast ia kam dorëzuar policisë. Personi më nuk është përgjigjur në lidhje me rastin në fjalë”, ka thënë Tahiri për Gazetën Online Insajderi.

Kryetari i Vushtrrisë, ka thënë se shpërblimi do të ipet në momentin kur faktohet rasti korruptiv.

Tahiri, ka deklaruar se komuna e Vushtrrisë së bashku me organizatën USAID, janë duke i hartuar procedurat se si do të shkojë çështja e shpërblimit të raportuesve të korrupsionit.

“USAID po na ndihmon që të hartojmë procedurat që si do të trajtohen kërkesat. E kam themeluar një grup të integritetit brenda komunës së Vushtrrisë që do t’i merr këto kërkesa pastaj do t’i drejtoj te organet kompetente për vërtetimin e veprës penale”, ka shtuar Xhafer Tahiri.

Shumën deri në 2 mijë euro, të premtuar nga Lutfi Haziri, ende nuk e ka fituar askush në Gjilan.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, tha për Insajderin se deri tash, nuk ka pasur ndonjë raportim nga ana e qytetarëve.

“Askush nuk është shpërblyer, sepse asnjë qytetar deri tash nuk ka paraqitur ndonjë rast korruptim në komunë”, tha Ismajli.

Agim Bahtiri, edhe në mandatin e parë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 pati dhënë premtimin e njëjt për shpërblim të raportimit të korrupsionit.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Faruk Mujka, tha për Insajderin se ka pasur “përfolje” për korrupsion por se asnjë nuk është bërë publike e as nuk është raportuar në komunë.

“Me sa jam unë në dijeni, nuk ka asnjë rast që është bërë publik. Tash përfoljet nuk ndalen kurrë por diçka konkrete nuk ka. Ne e kemi edhe qendrën e thirrjeve ku thirrësit mund të mbesin anonim por, as aty, nuk ka asgjë të raportuar”, ka thënë Mujka.

Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të këtyre komunave, në vend janë shënuar raste të shumta të rasteve korruptive.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, vetëm në vitin 2018 janë trajtuar mbi 200 raste.

“Bazuar në Raportin Vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2018 janë trajtuar 251 raste me dyshimet për korrupsion, ndërsa nga Janari deri në Qershor 2019, janë trajtuar dhe në trajtim e sipër mbi 90 raste”, ka deklaruar kryetari i Agjencisë, Shaip Havolli.

Havolli, ka thënë për Insajderin se personat e përfshirë në raste korruptive janë të të gjitha profileve.

“Personat e përfshirë në këto raste i përkasin niveleve të ndryshme si: Deputet, zëvendësministër, këshilltarë të ministrave, ambasador, këshilltarë e sekretarë në ambasada, kryetarë të komunave, kryesues të kuvendeve komunale, këshilltarë të asambleve komunale, kryesues, zëvendës kryesues dhe anëtarë të këshillit drejtues në universitetin publik, dekanë dhe prodekanë në fakultete të universiteteve publike, gjyqtarë, etj”, ka deklaruar më tej Havolli.

Ai ka thënë për Insajderin se pozitat e tilla kryesisht përfshihen në veprën ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ apo kryejnë shkelje si: Dhënie me qira të pronës së paluajtshme Komunale subjekteve të caktuara politike me çmim shumë të ultë dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, avancim i zyrtareve të caktuar pa u respektuar dispozitat përkatëse në fuqi, përzgjedhje të personelit dhe angazhim i bashkëpunëtoreve të jashtëm pa i plotësuar kriteret e parapara dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, etj./Insajderi/