A është arrestuar ende personi që ngacmonte seksualisht gratë në Prishtinë?

A është arrestuar ende personi që ngacmonte seksualisht gratë në Prishtinë?

Gratë e lagjes Tophane të kryeqytetit po kanë frikë të dalin edhe gjatë ditës në qytet. Ato po i ngacmon një person i panjohur, i cili në videot të cilat janë shpërndarë në internet duket se nuk është i maskuar.

Ai po shëtite rrugëve të qytetit si qytetar i zakonshëm, por nuk po heziton që t’i ngacmojë gratë e vajzat.

Qytetarët thonë se kjo nuk është hera e parë që ky person po e bën një veprim të tillë, mirëpo në polici thonë se për të njëjtin është raportuar vetëm me datën 24 të këtij muaji.

“Për këtë ngjarje jemi njoftuar me datën 24 korrik 2019, rreth orës 13:00. Informata është duke u trajtuar nga ana e hetuesve policor, të cilët  aktualisht janë duke punuar  për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, kanë thënë në një përgjigje për Express Zyra për Informim e Prishtinës.

Ndërkaq në videot e publikuara nga qytetarët, po thuhet se i ky person e ka përsëritur shpesh veprimin e tij.

Qytetarët të cilët i kanë shpërndarë videot thonë se ngacmimet kanë ndodhur edhe gjatë vitit 2018, e sipas tyre nuk është ndërmarrë asgjë ndaj personit të dyshuar.