A është gjetur ende pasuesi i Flamur Sefajt – deklarimi i Pacollit

A është gjetur ende pasuesi i Flamur Sefajt – deklarimi i Pacollit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdon ta ketë ende të paqartë zëvendësuesin e Flamur Sefajt në postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Kur kanë kaluar rreth tri javë që nga dorëheqja e Sefajt, MPB vazhdon të mbetet pa ministër.

I kontaktuar nga Gazeta Online Insadjeri, sekretari i AKR-së Rrahim Pacolli, lidhur për këtë çështje ka thënë se ende nuk është vendosur për ministrin e ri në këtë Ministri.

Pacolli ka thënë se aktualisht Abdylselami Shkodra është ushtrues detyre në këtë pozitë, derisa të emërohet ministri i ri që do ta përzgjedh, Behgjet Pacolli.

“Shkodra për momentin është ushtrues detyre i kësaj pozite, deri tani nuk ka ndonjë emër të veçantë, por që në të ardhmen është mbete presidenti [Pacolli] me vendosë”, ka thënë Pacolli shkurt për Insajderin.

Kryetari i Kuvendit të kësaj partie, Fatmir Matoshi gjatë ditës së sotme ka thënë se është propozuar nga strukturat e partisë për këtë posti, por që ai ka refuzuar një kërkesë të tillë.

“Kjo çështje është përgjegjësi dhe kompetencë e kryetarit të AKR-së. Unë kam qenë i propozuar i shumicës absolute të strukturës së partisë dhe degëve, e kam menduar këtë çështje dhe dje e kam njoftuar presidentin Pacolli që nuk jam kandidat për ministër të MPB-së”, ka deklaruar më herët Matoshi.

Kujtojmë që Flamur Sefaj dha dorëheqje nga posti i ministrit të Brendshëm me kërkesën  e Haradinajt pas deportimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi./Inajderi.com

Anëtari i AKR-së që po refuzon postin e ministrit të Brendshëm